Në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër, Presidentja e Kosovës, Shiroka Pula, takoi Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.
Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë e Procesit Brdo–Brijuni, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ajo rikujtoi se Kosova është pjesë e këtij procesi që nga viti 2013, kur u mbajt takimi i parë në Slloveni.
Gjatë takimit, Shiroka Pula theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është plotësisht i përkushtuar ndaj agjendës evropiane. Ajo nënvizoi rëndësinë që procesi i integrimit në BE të bazohet në merita dhe të vlerësojë progresin dhe reformat e secilit vend.
Presidentja theksoi se, krahas përshpejtimit të reformave dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.
Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës. Ajo vlerësoi në veçanti mbështetjen sllovene për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi deri në përmbylljen e procesit.
Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.

