Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar mes debateve të fundit brenda partisë, duke vlerësuar strukturat e LDK-së si të pjekura dhe të qarta në qëndrimet e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se strukturat e partisë nuk bien pre e asaj që ai e quajti propagandë anti-LDK dhe as nuk ngatërrohen në identifikimin e “oportunistëve politikë”.
“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se anëtarët dhe strukturat e partisë e dinë mirë se çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen, ndërsa ka vlerësuar punën dhe kontributin e tyre gjatë proceseve politike dhe zgjedhore.
Sipas Abdixhikut, strukturat e LDK-së nuk lejojnë që puna dhe angazhimi i tyre të shpërfillen apo rezultatet e arritura të injorohen.
Deklaratat e tij u bënë nga Shtimja, ku ai mori pjesë në një takim falënderues me strukturat lokale të partisë.
“Kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt. Sa i qartë është mesazhi nga këto takime”, ka shtuar ai./Telegrafi/
