Thomas Tuchel dinte çfarë të thoshte, por edhe çfarë të bënte. Kur lojtarët e Anglisë u kthyen në dhomën e zhveshjes në Dallas pasi pësuan dy gola kundër Kroacisë në 45 minutat e para, trajneri gjerman mori kohën e tij. Në vend që të bënte panik, ai ofroi qetësi, duke hedhur themelet për një kthesë dhe një fitore 4-2 në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.
Së pari, ai u tha lojtarëve të tij të rinj të uleshin dhe të bënin një pushim. Ndërsa shumë tifozë ndoshta e mendonin “Anglinë tipike”, Tuchel donte të ofronte një qasje të ndryshme.
“U ula me ta. U dhashë kohë të rikuperoheshin në paqe. U thashë të qetësoheshin. Sapo kishim pësuar një gol. Ishte e rëndësishme t’i qetësonim nervat e tyre dhe pastaj t’i inkurajonim të luanin në mënyrën tonë”, shpjegoi fillimisht Tuchel.
Ajo që ndodhi në pjesën e dytë mund të shërbejë si konfirmim i korrektësisë së vendimit të Federatës Angleze të Futbollit për të punësuar një trajner fitues trofesh për një pagë vjetore prej pesë milionë funtesh (rreth 5.8 milionë euro).
“U thashë atyre se mendimi im për ta dhe 17 ditët e fundit nuk do të ndryshojë për shkak të këtij rezultati. Thashë se pavarësisht rezultatit, dua që ata të luajnë në mënyrën e tyre, në mënyrën tonë. Dua që ata të jenë të guximshëm, intensivë, të ecin përpara dhe ta bëjnë këtë së bashku. Të shkojnë vetëm për fitoren, të përpiqen të marrin kontrollin dhe të jenë aktivë”.
“I inkurajova. Ishte e shkurtër dhe e qetë. Nëse thonë se ndihmoi, aq më mirë. Por ky ishte mesazhi kryesor, vetëm për t’i inkurajuar dhe për t’u thënë se u besojmë dhe se nuk kanë absolutisht asgjë për të cilën të kenë frikë. Mesazhi ishte ‘le të shkojmë për fitoren’ dhe ‘të jemi aktivë'”, përfundoi strategu gjerman. /Telegrafi/
