Vetëm një javë pasi Telegrafi raportoi për mosrealizimin e premtimit të dhënë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për ardhjen e tramvajit gjatë muajit qershor, i pari i kryeqytetit ka reaguar duke publikuar detaje të reja rreth projektit të transportit publik.
Më 10 qershor, Telegrafi kishte ngritur pyetjen se çfarë po ndodh me premtimin për transportin e ri në Prishtinë, pasi qershori kishte ardhur, por tramvaji ende nuk ishte funksional dhe nuk kishte pasur sqarime konkrete për dinamikën e projektit.
Sot, më 17 qershor, Rama ka publikuar një postim në Facebook, ku njofton se Komuna e Prishtinës ka përkrahur operatorët në procesin e financimit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe dy tramvajve.
“Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram. Kështu do të duken autobusët e rinj të Kryeqytetit. Modernë, më të qasshëm për të gjithë dhe mbi të gjitha 100% elektrikë. Prishtinën s’ka që e ndal!”, ka shkruar Rama.
Megjithatë, ndonëse postimi shoqërohet me pamje të autobusëve të rinj dhe rikthen në vëmendje projektin e shumëpërfolur, kryetari i Prishtinës nuk ka bërë të ditur se kur saktësisht pritet të vihen në funksion dy tramvajt dhe 15 autobusët elektrikë, as në cilën fazë konkrete ndodhet aktualisht procesi.
Telegrafi kishte raportuar më herët se premtimi për funksionalizimin e tramvajit brenda muajit qershor nuk ishte realizuar sipas afateve të paralajmëruara publikisht, ndërsa mbetet të shihet nëse njoftimi i fundit do të pasohet me afate të qarta për zbatimin e projektit të transportit të ri publik në kryeqytet. /Telegrafi/
