KOS-CERT ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve për raste të keqpërdorimit të numrave të telefonit gjatë regjistrimit të llogarive në aplikacionin Viber, përfshirë krijimin e llogarive pa autorizimin e pronarit të numrit dhe marrjen nën kontroll të llogarive ekzistuese.
Në reagimin që KOS-CERT e ka bërë në faqen zyrtare në Facebook, bëhet me dije se njoftimi ka ardhur nga Qendra Kombëtare Sllovene për Reagim ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike (SI-CERT), ku thuhet të jenë raportuar raste kur llogaritë Viber janë krijuar ose marrë nën kontroll pa ndërveprimin e viktimës, pa klikim në lidhje të dyshimta dhe pa dhënien e kodeve të verifikimit nga ana e përdoruesit.
"Në rastet e raportuara, përdoruesit mund të mos jenë në dijeni se numri i tyre është keqpërdorur, ndërsa kontaktet e tyre mund të shohin një llogari të re Viber të lidhur me numrin e tyre të telefonit. Në rastet e marrjes nën kontroll të llogarisë ekzistuese, përdoruesi mund të dalë automatikisht nga aplikacioni dhe të humbasë qasjen në të", thuhet në njoftimin e KOS-CERT.
KOS-CERT rekomandon që të gjithë përdoruesit e Viber të ndërmarrin këto masa:
1. Aktivizoni verifikimin me dy hapa (2-Step Verification) në Viber: More → Settings → Privacy → 2-step verification.
2. Vendosni një PIN gjashtëshifror që nuk përdoret në shërbime të tjera.
3. Regjistroni një adresë elektronike të vlefshme për rikuperimin e PIN-it.
4. Mos i ndani me askënd kodet e verifikimit që pranoni përmes SMS-it ose telefonatave.
5. Mos u përgjigjni kërkesave të dyshimta për konfirmimin e llogarisë, edhe nëse ato vijnë nga persona që njihni.
6. Nëse humbni papritur qasjen në Viber, kontaktoni mbështetjen zyrtare të Viber dhe informoni kontaktet tuaja përmes një kanali tjetër komunikimi.

