Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, po e shfrytëzon Kupën e Botës 2026 si një mundësi ideale për të vlerësuar lojtarët që ka në dispozicion, por edhe për të identifikuar përforcimet e mundshme për sezonin e ardhshëm.
Pas një sezoni zhgënjyes, ku Liverpooli dështoi të mbrojë titullin e Ligës Premier, tekniku spanjoll ka nisur punën për rindërtimin e skuadrës, ndërsa paraqitjet e futbollistëve në Botëror po i ofrojnë informacione të vlefshme.
Wirtz kërkon rilindjen
Një nga emrat që po ndiqet me vëmendje është Florian Wirtz. Mesfushori gjerman, i transferuar me shumë bujë nga Bayer Leverkusen për 116 milionë funte, nuk arriti të justifikojë pritshmëritë në sezonin e tij të parë në “Anfield”.
Megjithatë, në fitoren 7-1 të Gjermanisë ndaj Curacaos, 23-vjeçari tregoi cilësitë që e bënë një nga talentet më të kërkuara në Evropë.
Duke luajtur në krahun e majtë, Wirtz ishte ndër lojtarët më të spikatur, duke krijuar raste dhe duke qenë vazhdimisht i rrezikshëm në sulm.
Iraola shpreson të gjejë pozicionin ideal për gjermanin dhe ta rikthejë në nivelin që shfaqi te Bayer Leverkusen.
Van Dijk lider, Gakpo ende në kërkim të formës
Virgil van Dijk vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të Liverpoolit. Mbrojtësi holandez realizoi një gol dhe u shpall lojtari i ndeshjes në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë.
Edhe Ryan Gravenberch zhvilloi një paraqitje solide, duke asistuar në golin e Van Dijkut dhe duke kontribuar edhe në golin e dytë të holandezëve.
Në anën tjetër, Cody Gakpo vazhdoi të ketë vështirësi. Sulmuesi anësor nuk arriti të bëjë diferencën ndaj Japonisë, duke konfirmuar formën e paqëndrueshme që e ka shoqëruar edhe gjatë sezonit të fundit te Liverpooli.
Diomande, emri që po tërheq vëmendjen
Një tjetër futbollist që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Liverpoolit është Yan Diomande. Talenti 19-vjeçar i Bregut të Fildishtë zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në fitoren 1-0 ndaj Ekuadorit.
Anësori i ri krijoi pesë raste për gol dhe demonstroi shpejtësi, teknikë dhe guxim në duelet individuale. Liverpooli dhe Paris Saint-Germain raportohen si klubet më të interesuara për shërbimet e tij.
Duke pasur parasysh suksesin e Iraolës në zhvillimin e lojtarëve të rinj gjatë kohës së tij te Bournemouth, Diomande shihet si një profil ideal për projektin e ri të trajnerit spanjoll.
Isak rikthen buzëqeshjen në “Anfield”
Lajmi më inkurajues për Iraolën mund të ketë ardhur nga Alexander Isak. Sulmuesi suedez, i cili kaloi një sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së formës, shkëlqeu në fitoren 5-1 të Suedisë ndaj Tunizisë.
Isak realizoi një gol, dhuroi një asist dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Paraqitja e tij ishte një sinjal pozitiv për Liverpoolin, i cili do të ketë nevojë për versionin më të mirë të suedezit në sezonin e ardhshëm.
Me Botërorin që sapo ka nisur, Iraola po mbledh informacion të rëndësishëm për të ardhmen e Liverpoolit, ndërsa synon ta rikthejë klubin mes pretendentëve kryesorë në Angli dhe Evropë. /Telegrafi/
