YouTube po vazhdon zgjerimin e funksionit të tij për dërgimin e mesazheve private dhe ndarjen e videove brenda aplikacionit.
Sipas njoftimit të kompanisë, funksioni fillimisht ishte testuar vitin e kaluar në disa shtete të zgjedhura, ndërsa disa muaj më vonë ishte zgjeruar në 31 tregje. Megjithatë, atëherë Shtetet e Bashkuara nuk ishin përfshirë.
Sipas njoftimit më të fundit, funksioni tani po shtrihet në edhe nëntë vende të reja, mes tyre SHBA-ja, Brazili, Mbretëria e Bashkuar dhe Singapori. Me këtë zgjerim, numri total i vendeve të mbështetura arrin në 40.
Nga rajoni, në listë përfshihen edhe Kroacia, Bullgaria, Sllovenia dhe Rumania, ndërsa Serbia nuk është ende në mesin e vendeve të përfshira.
Përdoruesit mbi 18 vjeç, të regjistruar dhe që jetojnë në vendet e mbështetura, mund të ndajnë video dhe përmbajtje Shorts drejtpërdrejt nga aplikacioni me përdorues të tjerë.
Videot dërgohen përmes opsionit “Share”, ndërsa kontaktet e reja mund të ftohen në bisedë përmes ikonës “Messages” që ndodhet në këndin e sipërm të aplikacionit.
Sistemi përfshin gjithashtu funksione bazë të mesazheve moderne, si fshirja e mesazheve, fshirja e bisedave, si dhe opsione për bllokim dhe raportim të përdoruesve.
Për siguri, YouTube mund të monitorojë bisedat për shkelje të rregullave të komunitetit. /Telegrafi/
