Raportimet e fundit nga mediat ndërkombëtare sugjerojnë se Luka Modric është gjithnjë e më pranë vendimit për t’i dhënë fund karrierës së tij si futbollist aktiv pas Kupës së Botës 2026, pavarësisht se ka mundësinë të zgjasë kontratën me Milanin edhe për një sezon tjetër.
Modric do të mbushë 41 vjeç në shtator, por gjatë sezonit të tij të parë në Serie A tregoi se mosha është vetëm një numër.
Mesfushori kroat u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri, duke qenë titullar në 32 nga 34 ndeshjet e para të sezonit, para se të pësonte një frakturë në mollëzën e faqes në muajin maj.
Fituesi i Topit të Artë për vitin 2018 iu bashkua Milanit si lojtar i lirë në fillim të sezonit 2025/26, duke nënshkruar një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për 12 muaj të tjerë.
Megjithatë, mundësitë që ai të vazhdojë te kuqezinjtë duken të vogla. Mungesa e futbollit në Ligën e Kampionëve dhe paqartësitë në strukturën drejtuese të klubit, i cili aktualisht nuk ka trajner të konfirmuar, drejtor sportiv, drejtor teknik apo CEO, nuk ndihmojnë aspak në këtë drejtim.
Sipas gazetës spanjolle AS, Modric pritet gjithnjë e më shumë të shpallë pensionimin nga futbolli pas Botërorit 2026.
Raportime të mëhershme kanë bërë të ditur se, në rast të tërheqjes së tij, Real Madrid është i gatshëm t’i ofrojë një rol drejtues në klub./Telegrafi/
