Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të forcës së saj hapësinore në operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se kjo njësi ka “pozicionin më të lartë strategjik” në rajon.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), luftimet gjatë konfliktit në Iran dhe më gjerë në Lindjen e Mesme janë dominuar kryesisht nga dronët, raketat balistike dhe anijet luftarake detare.
Megjithatë, në një postim në rrjetin social X, ushtria amerikane ka vënë në pah rolin e Space Force.
“Space Force ka kapacitete ofensive dhe mbrojtëse të gatshme për t’u përdorur 24/7,” thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Sipas faqes zyrtare të kësaj njësie, Space Force ka për detyrë të mbrojë forcat amerikane nga “shënjestrimi i mundësuar nga hapësira”, përmes sistemeve satelitore dhe teknologjive të avancuara të vëzhgimit.
Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur se ka pasur ndonjë përdorim të sulmeve nga hapësira gjatë konfliktit aktual, duke theksuar se roli i kësaj force lidhet kryesisht me mbrojtjen dhe mbështetjen e operacioneve ushtarake në terren. /Telegrafi/
