Oda Ekonomike e Kosovës ka përmbyllur sot procesin e saj zgjedhor të brendshëm, ku Kuvendi Zgjedhor ka rizgjedhur Lulzim Rafunën në pozitën e kryetarit edhe për një mandat të ri.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se procesi zgjedhor u zhvillua në Prishtinë, me pjesëmarrjen e delegatëve të Kuvendit, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, të cilët votuan në përputhje me procedurat e rregullta demokratike të organizatës.
Pas rizgjedhjes, Rafuna falënderoi anëtarësinë për besimin e dhënë, duke theksuar se ky besim përbën një përgjegjësi të madhe për të vazhduar angazhimin në forcimin e rolit të OEK-së si zëri kryesor i komunitetit të biznesit në Kosovë.
Ai u zotua se, gjatë mandatit të ri, fokusi do të jetë në avancimin e dialogut me institucionet vendore, përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si dhe në përmirësimin e imazhit ekonomik të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
