Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka reaguar lidhur me plotësim-ndryshimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Kryeqytet, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si janë trajtuar barnatoret në draft-rregullore.
Sipas OFK-së, kryetari i saj, Kadri Bytyqi, i shoqëruar nga Florina Berisha dhe Ilir Luzha, ka marrë pjesë në diskutimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës, ku ka paraqitur vërejtjet e odës.
“Duhet të them se kemi qenë sinqerisht të befasuar kur kemi parë mënyrën se si janë trajtuar barnatoret në draft-rregulloren për taksat komunale”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka theksuar se shqetësimi i OFK-së, sipas tij, nuk është vetëm financiar.
“Shqetësimi ynë nuk është vetëm financiar. Shqetësimi ynë është juridik, profesional dhe logjik”, ka thënë ai.
Bytyqi ka argumentuar se barnatorja, sipas tij, nuk duhet të trajtohet si biznes tipik tregtar, por si institucion shëndetësor.
“Barnatorja nuk është një biznes tipik tregtar. Barnatorja është institucion shëndetësor. Ajo themelohet, licencohet dhe funksionon sipas legjislacionit të veçantë shëndetësor”, ka deklaruar ai, duke shtuar se hapja e një barnatoreje kërkon farmacist përgjegjës, kushte të veçanta teknike, standarde profesionale dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Në fjalimin e tij, Bytyqi ka kërkuar që ngarkesat administrative të jenë proporcionale me rrezikun dhe natyrën e aktivitetit, duke u thirrur në Ligjin për Sistemin e Lejeve dhe Licencave.
“Ligji për Sistemin e Lejeve dhe Licencave kërkon që çdo ngarkesë administrative të jetë proporcionale me rrezikun, me natyrën e aktivitetit dhe me koston reale administrative që krijon për institucionin publik. Në draft-rregullore nuk është paraqitur asnjë analizë e tillë”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka ngritur shqetësim edhe për nivelin e tarifës së propozuar, duke bërë krahasim mes licencimit qendror dhe tarifës komunale.
“Sot një barnatore paguan gjithsej 500 euro për licencim pesëvjeçar nga autoritetet qendrore… ndërsa sipas draft-rregullores së propozuar, Komuna kërkon 500 euro taksë komunale në vit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në një periudhë pesëvjeçare kjo do të nënkuptonte 2,500 euro tarifë komunale, krahasuar me 500 euro licencim për pesë vjet nga autoritetet qendrore.
“Komuna kërkon pesë herë më shumë se autoritetet qendrore, ndonëse nuk kryen licencimin e barnatoreve, nuk realizon inspektime farmaceutike dhe nuk mbikëqyr standardet profesionale të ushtrimit të veprimtarisë”, ka shtuar Bytyqi.
Në fund, Bytyqi ka kërkuar që drafti të tërhiqet nga procedura aktuale dhe të diskutohet me odat profesionale dhe palët e interesit, duke paralajmëruar se në të kundërtën OFK do të përdorë mjetet ligjore në dispozicion.
“Ju kërkojmë mirëkuptimin që ky draft të tërhiqet nga procedura aktuale… Në të kundërtën… do të jemi të obliguar të ndërmarrim të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, ka thënë ai.
OFK ka theksuar se nuk kërkon privilegje, por proporcionalitet dhe trajtim të drejtë.
“Ne nuk po kërkojmë privilegje. Po kërkojmë vetëm proporcionalitet, trajtim të drejtë, respektim të ligjit dhe vazhdim të partneritetit që kemi ndërtuar ndër vite me Komunën e Prishtinës”, ka përfunduar Bytyqi. /Telegrafi/
