Është pensionuar Xajë Mustafa, historia e të cilit u bë një nga rrëfimet më prekëse të luftës së Kosovës dhe një simbol i vuajtjeve të familjeve shqiptare gjatë asaj periudhe.
Gjatë luftës, Xajë Mustafa ishte burgos nga forcat serbe, duke e ndarë kështu nga familja e tij.
Për një kohë të gjatë ai nuk kishte asnjë informacion për fatin e më të dashurve, duke përjetuar ditë të mbushura me ankth, dhimbje dhe pasiguri.
Ai u bë i njohur në mbarë botën përmes një fotografie të realizuar në vitin 1999 nga fotografi i njohur Peter Turnley. Në atë imazh, që më vonë u kthye në një nga fotografitë më simbolike të luftës së Kosovës, Mustafa shfaqej duke mbajtur fotografitë e dy fëmijëve të tij të zhdukur, me shpresën se dikush do t’i njihte dhe do ta ndihmonte t’i gjente.
Lexoni të plotë postimin e shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë:
Sot nuk po shënojmë vetëm pensionimin e një punëtori të përkushtuar, por po nderojmë jetën dhe rrugëtimin e një njeriu që ka përjetuar një nga historitë më prekëse të luftës së Kosovës.
Xajë Mustafa, mbetet një simbol i qëndresës, shpresës dhe dashurisë familjare. Gjatë luftës së Kosovës ai u përball me vuajtje të mëdha, duke u burgosur nga forcat serbe dhe duke u ndarë me familjen e tij. Për një kohë të gjatë ai nuk kishte asnjë informacion për fatin e më të dashurve të tij. Ishin ditë të mbushura me ankth, dhimbje dhe pasiguri, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij.
Bota e njohu Xajë Mustafën përmes fotografisë së famshme të realizuar në vitin 1999 nga fotografi i njohur Peter Turnley. Në atë fotografi, e cila u bë një nga imazhet më të fuqishme të luftës së Kosovës, Xajë Mustafa shihej duke mbajtur fotografitë e dy fëmijëve të tij të zhdukur, me shpresën se dikush do t’i njihte dhe do t’i ndihmonte t’i gjente. Ajo fotografi preku zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën dhe u bë simbol i vuajtjeve të familjeve shqiptare gjatë luftës.
Por historia e tij nuk përfundoi me dhimbje. Pas luftës ndodhi ajo që shumëkush e quajti mrekulli. Xajë Mustafa u ribashkua me familjen e tij dhe zbuloi se fëmijët e tij ishin gjallë. Pas gjithë vuajtjeve, lotëve dhe pasigurisë, familja e tij u bashkua sërish. Ky ribashkim mbetet një nga tregimet më prekëse dhe më shpresëdhënëse të asaj periudhe të vështirë.
Pavarësisht plagëve që la lufta, Xajë Mustafa vazhdoi jetën me dinjitet, duke punuar me ndershmëri dhe përkushtim.
I urojmë Xajë Mustafës pensionim të mbarë, shëndet, lumturi dhe shumë vite të qeta pranë familjes së tij të dashur!. /Telegrafi/
