Mediat italiane po zbulojnë detaje të reja rreth prapaskenave te Milani, pak para revolucionit të madh në klub dhe shkarkimeve të bujshme në sektorin sportiv.
Gazetarja Monica Colombo, në një shkrim të publikuar në Il Corriere della Sera, ka rrëfyer dy episode që – sipas saj shpjegojnë klimën e tensionuar që i parapriu vendimit të pronarit të RedBird, Gerry Cardinale, për ta “pastruar” strukturën drejtuese pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Përplasje e ashpër Allegri–Ibrahimovic
Sipas “Corriere”, marrëdhënia mes ish-trajnerit Massimiliano Allegri dhe këshilltarit të lartë të RedBird, Zlatan Ibrahimovic, ishte e dëmtuar prej kohësh dhe konsiderohej “e pariparueshme”.
Colombo shkruan se tensioni kulmoi në një restorant, ku një debat (i nisur, mes tjerash, rreth çështjes së portierit të tretë për sezonin e ardhshëm) u shndërrua në një përplasje të fortë mes tyre.
Në atë takim, të pranishëm ishin edhe CEO Giorgio Furlani dhe drejtori sportiv Igli Tare, ndërsa – sipas rrëfimit – Tare u detyrua t’i ndajë fizikisht Allegrin dhe Ibrahimovicin.
Prapaskena e golit të Saelemaekers: Vetëm Tare festoi
Një tjetër detaj interesant lidhet me ndeshjen Milan–Cagliari, që në fund i kushtoi kuqezinjve objektivin e sezonit. Sipas “Corriere della Sera”, në momentin kur Saelemaekers shënoi golin e avantazhit të përkohshëm të Milanit, vetëm Igli Tare u ngrit në këmbë për të festuar.
Ndërkohë, pjesa tjetër e drejtuesve thuhet se qëndroi e ftohtë dhe e palëvizur, pothuajse e “bezdisur” nga rrjedha e mbrëmjes – duke lënë të kuptohet se, nëse Milani do ta siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve, do të bëhej shumë më e vështirë të justifikohej largimi i trajnerit dhe drejtorit sportiv.
“Revolucion” pas dështimit të sezonit
Këto prapaskena publikohen në një periudhë kur Milani ka nisur një riorganizim të thellë, pas dështimit për të siguruar Ligën e Kampinëve.
Siç u bë e ditur tashmë, klubi u nda me Allegri, Tare, Furlani dhe Geoffrey Moncada, ndërsa në projektin e ri pritet të ketë rol të rëndësishëm Ibrahimovic si drejtues kryesor. Por kjo nuk iu pëlqen tifozëve kuqezi, ku gjatë mbrëmjes kishin një protestë, duke e akuzuar Ibrahimovicin, si e keqja e Milanit. /Telegrafi/
