Kombinimi i perdeve transparente, roletave dhe perdeve të gjata, jo vetëm që kontrollon dritën dhe privatësinë, por i jep hapësirës më shumë elegancë, thellësi dhe ngrohtësi
Pranvera dhe vjeshta konsiderohen stinët ideale për adhuruesit e modës, sidomos për shkak të lojës me shtresat. Një bluzë me detaje elegante nën pulovër duket shumë më sofistikuar dhe më “e shtrenjtë” sesa secila pjesë e veshjes më vete. Së fundmi, i njëjti parim po vërehet edhe në dekorimin e dritareve, përmes një teknike që dizajnerët e enterierit e quajnë “veshja e dyfishtë” e dritareve.
Kjo teknikë nënkupton përdorimin e dy shtresave të perdeve ose mbulesave të dritareve, të vendosura njëra mbi tjetrën. Në teori mund të tingëllojë si ide e tepruar, por në praktikë rezultati është shumë më elegant dhe më funksional sesa duket.
Sipas dizajneres Eleonor Weaver nga Linda Reynolds & Co., kjo qasje kombinon një shtresë funksionale, si roleta ose perde transparente, me një shtresë dekorative të jashtme, si perdet e gjata. Sipas saj, nuk bëhet fjalë vetëm për estetikë, por për një zgjidhje të menduar mirë që i përshtatet mënyrës se si përdoret hapësira.
Në një dhomë gjumi, për shembull, mund të përdoret një shtresë errësuese për natën dhe perde transparente gjatë ditës. Kështu, dritarja fiton jo vetëm kontroll më të mirë të dritës dhe privatësisë, por edhe më shumë thellësi, karakter dhe atmosferë, transmeton Telegrafi.
Pse dy shtresa duken më elegante?
Një perde e vetme mund ta kryejë funksionin bazë, por dy shtresa ofrojnë shumë më tepër. Përveç kontrollit të dritës dhe privatësisë, ato krijojnë ndjesinë e luksit dhe e bëjnë hapësirën të duket më e kompletuar.
Dizajnerët e enterierit thonë se një dritare e “veshur” në shtresa shpesh është elementi që e kthen një hapësirë nga “e rregulluar” në një ambient me identitet dhe atmosferë të veçantë.
Perdet café dhe roletat romake
Një nga kombinimet më të preferuara për vitin 2026 janë perdet café të kombinuara me roleta romake.
Perdet café vendosen zakonisht në pjesën e poshtme të dritares dhe krijojnë një atmosferë romantike, të butë dhe shumë evropiane. Duke qenë më të ulëta, ato lënë hapësirë që pjesa e sipërme e dritares të dekorohet me roleta romake.
Dizajnerja Hejli Wiedenbaum thotë se kjo është një zgjidhje ideale për hapësira ku privatësia është e rëndësishme, si banjat ose kuzhinat. Sipas saj, kombinimi krijon balancë perfekte mes stilit të relaksuar dhe atij të strukturuar.
Rezultati është një trajtim elegant i dritares që ruan privatësinë në pjesën e poshtme, ndërsa njëkohësisht lejon hyrjen e dritës natyrale nga sipër.
Roletat natyrale dhe perdet e gjata
Një tjetër kombinim shumë popullor është përdorimi i roletave prej materialesh natyrale së bashku me perde të gjata.
Kjo qasje bazohet në kontrastin e teksturave, njësoj si kombinimi i materialeve të ndryshme në modë. Materialet natyrale sjellin ngrohtësi dhe ndjesinë e rehatisë, ndërsa perdet e gjata i japin hapësirës butësi dhe elegancë.
Sipas dizajnerëve, kjo zgjidhje përshtatet shumë mirë me trendin e enterierëve modernë që favorizojnë materialet natyrale dhe ambientet më të qeta e më relaksuese.
Perde transparente dhe perde të plota
Kombinimi klasik i perdeve transparente me perde më të trasha mbetet një nga zgjidhjet më elegante dhe më praktike.
Ky sistem lejon që gjatë ditës të përdoren vetëm perdet transparente për të sjellë dritë natyrale, ndërsa në mbrëmje mund të mbyllen perdet e plota për privatësi dhe errësim më të mirë.
Prodhuesi londinez i perdeve Pat Giddens thekson se kjo qasje jo vetëm që ofron kontroll më të mirë të dritës dhe temperaturës, por edhe mbron mobiliet dhe vetë perdet nga zbehja prej diellit.
Shtresa transparente merr pjesën më të madhe të rrezeve të diellit, duke mbrojtur materialet më delikate, si mëndafshi ose tekstilet me ngjyra të errëta.
Sekreti qëndron te proporcionet
Edhe pse duket si ide e thjeshtë, “veshja e dyfishtë” e dritareve kërkon kujdes në proporcione dhe vendosje.
Lartësia e montimit, gjatësia e perdeve, dendësia e materialit dhe mënyra si bien perdet e gjata ndikojnë shumë në rezultatin final. Një perde e montuar shumë poshtë ose që nuk bie mirë deri në dysheme mund ta prishë të gjithë efektin vizual, pavarësisht sa cilësor është materiali.
Prandaj, sipas dizajnerëve, sekreti i enterierëve që duken elegantë dhe luksozë shpesh nuk qëndron vetëm te mobiliet apo dekorimet, por edhe te mënyra se si trajtohen dritaret. /Telegrafi/