Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
Procesi i regjistrimit ka filluar më 6 maj dhe mbyllet sot, më 17 maj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit dhe të përfundojnë procedurat brenda afatit të përcaktuar.
“Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 17 maj 2026”, ka njoftuar KQZ.
Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës mund të votojnë në dy mënyra: përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.
Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji dhe do të zgjasë 12 ditë, deri më 6 qershor, ndërsa votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Ndërkohë, nga 6 maji ka nisur edhe periudha për ndërrimin e qendrave të votimit brenda komunës, si dhe për konfirmimin ose kundërshtimin e pasaktësive në Listën Votuese.
KQZ ka miratuar Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme, e cila përmban 2,092,202 votues, apo 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të mbajtura më 28 dhjetor 2026.
Po ashtu, KQZ ka certifikuar 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike./Telegrafi/