Ekipi i Mikel Artetas është në garë për kurorën e dyfishtë në këtë edicion – titullin e kampionit të Anglisë dhe Ligën e Kampionëve. Nëse arrijnë të fitojnë të dy trofetë, lojtarët e Arsenalit mund të presin miliona në bonuse.
Pasi eliminuan Atletico Madridin, “Topçinjtë” kanë arritur në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain, e cila do të luhet më 30 maj në Budapest, dhe në të njëjtën kohë janë afër fitimit të Ligës Premier, e para e tyre që nga viti 2004.
Sipas mediave britanike, një lojtar që ka luajtur në të gjitha ndeshjet dhe fiton të dyja garat mund të fitojë rreth 2.46 milionë euro në bonuse. Pjesa më e madhe e shumës është për suksesin në Ligën e Kampionëve, ku lojtarët pritet të ndajnë rreth 1.36 milionë euro.
Një bonus prej 145,000 eurosh është planifikuar vetëm për fitoren në finale, me bonuse që do të paguhen edhe për avancimin në fazat e mëparshme të garës, sikurse ajo e gjysmëfinales që do t’ju paguhet 58 mijë euro.
Përveç çmimeve evropiane, lojtarët e Arsenalit marrin edhe bonuse të konsiderueshme për performancat e tyre në kampionatin vendas. Lojtarët thuhet se marrin pothuajse 7,000 euro për paraqitje në ligë.
Dhe së fundmi, ekziston një bonus i madh shtesë që shpërndahet bazuar në kontributin e tyre të përgjithshëm në të gjitha garat. Ky bonus vlerësohet të jetë 725 mijë funte apo rreth 839 mijë euro.
Arsenali është eliminuar disa herë nga gara për titullin e Ligës Premier vitet e fundit, por skuadra e Artetës është dukur shumë më e qëndrueshme dhe e pjekur këtë sezon, duke çuar në rritjen e besimit në Londër se klubi më në fund mund ta rikthej titullin kampion në ‘Emirates’ pas më shumë se dy dekadash pritjeje.
Në të njëjtën kohë, “Topçinjtë” po ëndërrojnë edhe trofeun e tyre të parë të Ligës së Kampionëve në historinë e klubit, gjë që do ta bënte këtë brez një nga më të mëdhenjtë në historinë e Arsenalit. Arsenali ende ka ndeshje jashtë fushe kundër Ëest Ham United dhe Crystal Palace deri në fund të sezonit, ndërsa ndeshja e tyre e fundit në shtëpi do të jetë kundër Burnley. /Telegrafi/