Emri i Joao Pinheiro pushtoi titujt pas gjysmëfinales Bayern Munich–PSG, ku dy vendime të diskutueshme ndezën debat të madh.
Portugezi nuk është vetëm gjyqtar i nivelit elitar të UEFA-s, por edhe jurist i diplomuar dhe aktiv në profesionin e avokatit – detaj që, sipas shumëkujt, shpjegon pse ai i njeh dhe i zbaton “deri në shkronjë” rregullat e lojës.
Në anën tjetër, Liga e Kampionëve konsiderohet pa dyshim niveli më i lartë i futbollit në Evropë dhe një nga kompeticionet më të mëdha në botë dhe gjyqtarët shpesh bien në sy.
Por sa paguhen gjyqtarët në Ligën e Kampionëve?
Gara më e madhe në kontinent ka zyrtarët më të mirë, me gjyqtarët nga e gjithë Evropa të përzgjedhur për të drejtuar ndeshje të këtij turneu. Pyetja është: Sa paguhen ata në Ligën e Kampionëve dhe sa fitojnë nëse u besohet nderi për të gjykuar finalen?
Sipas një raportimi të GiveMeSport, që i referohet një materiali të beIN SPORTS, gjyqtarët paguhen në mënyrë të ndryshme varësisht nga faza e kompeticionit.
Me formatin e ri (ajo që më parë quhej faza e grupeve), ku për çdo ndeshje në këtë fazë, gjyqtarët raportohet se paguhen rreth 6,200 euro. Kjo shumë nuk ndryshon as në 1/8 e finales.
Çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalja
Në këto faza, pagesa rritet. Gjyqtarët raportohet se fitojnë pak më pak se 7800 euro për ndeshje dhe duhet të theksohet se nuk ka dallim mes tarifës për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet.
Pra, gjyqtari portugez Joao Pinheiro ka fituar më pak se 8 mijë euro nga ndeshja Bayern Munich – PSG.
Në finalen gjyqtari kryesor ka përfituar pak më pak se 10,500 euro për drejtimin e ndeshjes kryesore.
Kjo shifër edhe pse është shumë më e vogël krahasuar me bonuset e lojtarëve, mbetet një pagesë e konsiderueshme për një ndeshje të vetme. /Telegrafi/