Petrit Hajdari ka njoftuar se ka vendosur të lirojë drejtimin e degës së PDK-së në Drenas dhe se kontributin e tij do ta fokusojë në kryesinë qendrore të partisë.
Në një postim në Facebook, Hajdari ka vlerësuar rezultatin e degës së PDK-së në Drenas në zgjedhjet e fundit nacionale, duke thënë se ajo ka dalë “dega më e fuqishme e PDK-së”.
“Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së”, ka shkruar ai.
Hajdari ka thënë se vendimi për t’u tërhequr nga drejtimi i degës vjen, siç është shprehur, “duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme”, dhe se është marrë me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
“Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qendrore”, ka deklaruar Hajdari.
Ai ka theksuar se po e lë degën me mbi 18 mijë vota dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për PDK-në pavarësisht pozitës.
“E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës… Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë”, ka shkruar ai.
Në postimin e tij, Hajdari ka falënderuar ish-kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për besimin dhe bashkëpunimin, ndërsa Bedri Hamzës i ka uruar sukses në zgjedhjet e radhës.
“E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje për asamblistët, shtabin dhe kryesinë e degës, si dhe për kandidatët për deputetë nga Drenasi.
“Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë”, ka thënë Hajdari.
Në fund, Hajdari ka shprehur pritjen që pozita që po e liron të merret nga, siç ka thënë, “një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse”, duke shtuar se “Drenasit i nevojitet unifikim”.
“Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim”, ka shkruar ai.
Hajdari ka thënë se do ta vazhdojë kontributin e tij me bindjen se “e mira e PDK-së është e mira e vendit”. /Telegrafi/