Paris Saint-Germain ka prerë biletën për në finalen e Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Arsenalin, edhe pse ndeshja e kthimit ndaj Bayern Munich në “Allianz Arena” u mbyll 1-1. Parisienët kalojnë tutje falë fitores nga takimi i parë dhe e mbyllin gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 6-5.
PSG e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe gjeti golin që në minutën e 3-të, kur Ousmane Dembélé reagoi shpejt në zonë dhe e goditi topin me volej në rrjetë për 0-1, duke e rritur presionin mbi bavarezët.
Pas golit, Bayern tentoi të kthehej në lojë me më shumë posedim dhe presion të vazhdueshëm, ndërsa pati edhe një moment polemik në minutën e 31-të, kur kërkoi penallti pas një prekjeje të dyshimtë me dorë në zonën e PSG-së, por gjyqtari refuzoi dhe loja vazhdoi.
Në pjesën e parë, të dy portierët u shfaqën vendimtarë. Manuel Neuer ndali një goditje me kokë të Joao Neves në minutën e 34-të, ndërsa Safonov mbajti PSG-në në lojë në disa momente kyçe.
Në pjesën e dytë, Bayern shtoi edhe më shumë intensitetin: Kvaratskhelia kishte një rast të mirë (57’) të ndalur nga Neuer, po ashtu edhe Désiré Doué (64’), ndërsa në anën tjetër Luis Diaz testoi seriozisht Safonovin në minutën e 69-të, por portieri reagoi shkëlqyeshëm.
Kur dukej se PSG po e menaxhonte epërsinë dhe po e mbyllte ndeshjen, erdhi drama në fund. Në minutat shtesë, Harry Kane shënoi për 1-1 (90+4’), duke ndezur stadiumin dhe duke i dhënë Bayernit shpresë për një përmbysje të vonë.
Megjithatë, barazimi nuk mjaftoi dhe PSG e ruajti avantazhin e dy ndeshjeve për ta siguruar kualifikimin.
Në fund, PSG del fitues i kësaj gjysmëfinale të çmendur dhe shkon në finalen e madhe me rezultat të përgjithshëm 6-5, ku e pret Arsenali në betejën për trofeun më prestigjioz të futbollit evropian. /Telegrafi/