Fotografi Arian Mavriqi ka njoftuar se avioni i madh transportues Antonov An-124 “Ruslan” ka ateruar sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një nga avionët më të mëdhenj aktivë në botë.
Në një postim në Facebook, Mavriqi ka sqaruar se Antonov An-124 është i ndërtuar në Ukrainë nga kompania Antonov dhe është projektuar për transportin e ngarkesave që avionët e zakonshëm nuk mund t’i bartin.
“Ky është Antonov An-124 Ruslan – një avion transporti shumë i madh, i ndërtuar në Ukrainë nga Antonov, i cili sot ateroj në Aeroportin ‘Adem Jashari’ në Prishtinë”, ka shkruar Mavriqi.
Sipas tij, ky avion është ndërtuar për të transportuar pajisje dhe mjete të rënda, përfshirë tanke, helikopterë, turbina e madje edhe lokomotiva.
“Ky avion është ndërtuar për të transportuar gjëra që avionët normalë nuk i marrin dot: tanke, helikopterë, turbina, madje edhe lokomotiva”, thuhet në postim.
Mavriqi ka ndarë edhe disa të dhëna teknike për avionin, duke theksuar përmasat e tij dhe kapacitetin e ngarkesës.
“Antonov An-124 = një nga avionët më të mëdhenj aktivë në botë. Gjatësia: rreth 69 metra. Hapja e krahëve: rreth 73 metra. Kapacitet ngarkese: deri në 150 ton. Ka gjithsej 24 rrota”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, pamje nga pista janë publikuar edhe në rrjete sociale. Në një video të publikuar në platformën X (ish-Twitter), shihet avioni gjigant teksa qëndron në pistë të aeroportit në Prishtinë. /Telegrafi/