Atletico Madrid nuk arriti ta prekë finalen e Ligës së Kampionëve, por në aspektin financiar vazhdon të jetë ndër “kampionët” e mëdhenj të kompeticionit.
Që nga ardhja e Diego Simeones dhe nga sezoni 2013/14 e deri sot, klubi bardhekuq ka arkëtuar plot 935.6 milionë euro nga Liga e Kampionëve, falë 13 pjesëmarrjeve radhazi në epokën moderne.
Edhe këtë sezon, përpara se të llogaritet përfundimisht skema e re e të ardhurave e UEFA-s, Atletico ka gjeneruar 75.15 milionë euro. Shifra pritet të rritet ndjeshëm – mbi 105 milionë euro – pasi në fund të sezonit do të shtohet edhe koncepti i ri i UEFA-s, i quajtur “shtylla e vlerës”, që kombinon tregun televiziv dhe koeficientët e klubit.
Deri tani, të ardhurat e Atleticos në këtë edicion janë ndërtuar nga disa burime: pagesa për pjesëmarrjen në fazën e parë, bonuset për fitore e barazim, pagesa për pozicionimin në renditje, shpërblimet për kalimin e raundeve dhe bonuset për arritjen deri në gjysmëfinale.
Si erdhën paratë
Konkretisht, Atletico ka përfituar 18.62 milionë euro për pjesëmarrjen në fazën e parë, 8.4 milionë për katër fitore dhe 0.7 milionë për një barazim, 6.93 milionë për vendin e 14-të në renditjen e fazës së ligës, nga një milion për hyrjen dhe një milion tjetër për kualifikimin në raundin e ndërmjetëm, 11 milionë për të tetat e finales, 12.5 milionë për çerekfinalet dhe 15 milionë për gjysmëfinalen kundër Arsenalit.
Pjesa që ende mungon është “shtylla e vlerës”, e cila llogaritet vetëm në fund të sezonit. Ky mekanizëm, i futur rishtazi nga UEFA me ndryshimin e formatit, do të shpërndajë 853 milionë euro mes klubeve pjesëmarrëse, duke u bazuar në të ardhurat televizive të secilit treg (brenda dhe jashtë Europës) si dhe në koeficientin e UEFA-s të secilit klub.
Shembulli i sezonit të kaluar e bën edhe më të qartë ndikimin e këtij mekanizmi: megjithëse Atletico u eliminua në të tetat e finales ndaj Real Madridit me penallti, fitoi 53.5 milionë euro nga merita sportive, të cilat u rritën me 31.4 milionë pas shtimit të “shtyllës së vlerës”, duke e çuar totalin në 84.918 milionë euro.
Me të njëjtën logjikë, projektohet që këtë sezon të shkojë mbi 105 milionë.
Shifrat në vitet e fundit
Në vitet e fundit, shifrat e Atleticos në Champions kanë qenë vazhdimisht të larta: 84.918 milionë euro sezonin e kaluar, 102.316 milionë euro në 2023/24 (rekordi deri tani), 63.515 milionë në 2022/23, 98.079 milionë në 2021/22, 75.060 milionë në 2020/21, 91.454 milionë në 2019/20 dhe 85.650 milionë në 2018/19.
Në 2017/18, kur doli i treti në grup, Atletico mori 31.730 milionë euro, të cilave më pas iu shtuan 16.127 milionë pas triumfit në Ligës së Evropës, ndërsa në sezonet e mëparshme shifrat varionin nga 60.615 milionë (2016/17) dhe 69.665 milionë (2015/16) deri te 52.687 milionë (2013/14), kur Atletico ishte nënkampion.
Në total, epoka e Simeones e ka kthyer Ligën e Kampionëve në një burim të jashtëzakonshëm të ardhurash për Atletico Madridin – një “siguri financiare” që e mban klubin në elitën evropiane, edhe kur objektivi sportiv (trofeu) vazhdon t’i ikë nga duart. /Telegrafi/