Raportimet në Itali pretendojnë se Barcelona ka mbetur e “zhgënjyer” nga fakti se një marrëveshje e mundshme për Alessandro Bastonin e Interit duket se po zbehet, por ka edhe sugjerime se gjigantët e La Ligës që po përballen me vështirësi financiare, duhet t’i japin përparësi transfeirmit të një sulmuesi të ri, e jo një mbrojtësi.
Për disa javë me radhë, raportime nga Spanja dhe Italia e kanë lidhur Barcelonën me një lëvizje verore për reprezentuesin italian Bastoni, i cili ishte pjesë e skuadrës që festoi titullin e 21-të të Interit në Serie A gjatë fundjavës.
Presidenti i “Nerazzurrëve”, Beppe Marotta, e ka pranuar së fundmi: “Nuk do ta mohoj se ka interesim nga Barcelona (për Bastonin), por ende nuk ka asgjë konkrete”.
Megjithatë, sipas përditësimeve më të fundit nga Gazzetta dello Sport, interesimi i Barcelonës për mbrojtësin e majtë tashmë ka nisur të venitet.
Ka disa arsye për këtë, por ndoshta më e rëndësishmja lidhet me hezitimin e vetë lojtarit për t’u larguar nga “San Siro” këtë verë.
Gazzetta dello Sport raporton se Interi e vlerëson Bastonin rreth 70 milionë euro, ndërsa Barcelona kishte besuar se do të mund të negocionte një shifër më të ulët, afër 50 milionë eurove.
Që kjo të ndodhte, katalanasit do të kishin pasur nevojë që Bastoni të shprehte dëshirën e tij për t’u transferuar te Barcelona, duke e vënë Interin nën presion për ta shitur.
Sipas Gazzetta dello Sport, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe “Nerazzurrët” nuk kanë asnjë synim ta lënë Bastonin të largohet me një çmim të reduktuar.
Qoftë 50 milionë apo 70 milionë euro, gjithsesi bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm për një klub që vazhdon të ndiejë ndikimin e rregullave të rrepta financiare të LaLigës.