Interi ka nisur të mendojë menjëherë për të ardhmen pas fitimit të titullit të 21-të në Serie A, dhe drejtuesit zikaltër po planifikojnë një goditje të madhe në merkato.
Sipas “Tuttosport”, objektivi kryesor i klubit për verën është talenti argjentinas Nico Paz, aktualisht pjesë e Comos, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij në dy sezonet e fundit dhe konsiderohet një nga emrat më premtues në futbollin evropian.
Interi raportohet se do të ketë një buxhet prej 40 deri në 45 milionë euro për merkato, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve mund të vijë nga shitjet e mundshme të lojtarëve, përfshirë edhe Alessandro Bastonin, i cili është lidhur me një kalim te Barcelona.
Megjithatë, situata e Paz mbetet komplekse për shkak të interesit të Real Madrid, që sipas raportimeve ka një opsion rikthimi pothuajse të sigurt për lojtarin. E ardhmja e tij do të varet nga vendimet e trajnerit të ri në “Santiago Bernabeu”.
Pavarësisht kësaj, Interi beson se mund t’i ofrojë argjentinasit një rol më të rëndësishëm dhe më të qëndrueshëm në skuadër, duke e bërë atë një figurë qendrore të projektit të ri sportiv.
Zikaltërit po shqyrtojnë një ofertë në vlerën 45 deri në 50 milionë euro, me shpresën për të bindur si lojtarin ashtu edhe klubet e përfshira në këtë operacion kompleks.
E ardhmja e Nico Paz pritet të jetë një nga sagat më interesante të merkatos së verës./Telegrafi/