Mike Tyson dhe Deontay Wilder janë dy prej goditësve më të rrezikshëm që ka parë ndonjëherë boksi i peshave të rënda. Prandaj, një nga debatet më të mëdha te tifozët është se kush do të fitonte në kulm mes “Iron Mike” dhe “Bronze Bomber”?
Kur flitet për peshat e rënda, emri i Mike Tysonit është i pashmangshëm. Ai u shpall kampion bote në moshën 20-vjeçare, duke u bërë kampioni më i ri në histori, ndërsa fuqia dhe shpejtësia e tij e çuan drejt një serie ndalimesh, me 19 fitoret e para të mbyllura me nokaut.
Deri më 28 prill 2026, Tyson ka 59 ndeshje si profesionist: 50 fitore, 7 humbje, 0 barazime dhe 2 barazime.
Në epokën moderne, ndërkaq, Deontay Wilder u bë i njohur si nokautuesi më i frikshëm i divizionit. Edhe pse në vitet e fundit ka pasur rënie (ka humbur 4 nga 7 ndeshjet e fundit), statistikat e tij tregojnë qartë fuqinë: deri më 28 prill 2026 ka zhvilluar 50 ndeshje, me 45 fitore, 4 humbje dhe 1 barazim. Nga 45 fitoret, vetëm dy i ka marrë me vendim të gjyqtarëve.
Wilder ka deklaruar më herët se do ta nokautonte Tysonin e vitit 1986, duke thënë: “Unë kundër Tysonit në ’86, do ta shkatërroja. Dëgjo, duhet ta them troç. E di që njerëzit gjithmonë kthehen te ‘shkolla e vjetër’ ose krahasojnë me ‘shkollën e re’, por s’ka asnjë ‘shkollë’ ku unë të mos jem numri 1 në botë”.
Tyson, pasi u pyet për këtë vetëbesim të Wilderit, reagoi me tone më të moderuara: “Boksierët më të mirë të peshave të rënda duhet ta besojnë veten kundër kujtdo dhe kundër të gjithëve”.
Por legjenda e peshave të rënda, Lennox Lewis, kishte një qëndrim tjetër dhe i hodhi poshtë pretendimet e Wilderit.
“Sapo e dëgjova Deontay Wilderin duke thënë se do ta shkatërronte një Mike Tyson të ri. Mendimi im është se është e lehtë të flasësh derisa të futesh realisht në ring. Më pëlqen Wilderi, por ai s’ka qenë kurrë në ring me dikë aq të egër, që vërtet do t’ia thyejë brinjët me çdo grusht. Nuk e shoh këtë”, deklaroi britaniku.
Lewis e mundi Tysonin me nokaut në vitin 2002, brenda tetë raundeve, ndaj edhe vlerësimi i tij vazhdon të ushqejë debatin për atë se si do të dukej një përballje hipotetike mes Tysonit në kulm dhe Wilderit në formën më të mirë. /Telegrafi/