Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, është vlerësuar me mirënjohjen më të lartë nga Akademia Sportive e Malit të Zi gjatë Konferencës së 24-të Ndërkombëtare, e mbajtur në Budvë.
Kuka u nderua me “Pllakën e Artë”, si vlerësim për rezultatet e tij të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Në arritjet e tij përmenden mbi 30 medalje botërore dhe evropiane, si dhe tri medalje të arta olimpike.
Ky çmim, që më herët i është ndarë edhe trajnerit kroat Zlatko Dalic, e rendit Kukën në mesin e emrave më të spikatur të trajnimit sportiv në nivel botëror.
Për suksesin e tij ka reaguar edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit (FEFS) në Universitetin e Prishtinës, i cili e cilësoi Kukën si shembull frymëzues të ekselencës dhe suksesit në sport.
FEFS shprehu gjithashtu gatishmëri për bashkëpunim më të ngushtë me Federatën e Xhudos, sidomos në kuadër të përgatitjeve drejt Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Për shkak të angazhimeve në Kampionatin Evropian, ku sportistët e tij fituan sërish medalje të arta, Kuka nuk ishte i pranishëm në Budvë. Çmimi pritet t’i dorëzohet në një ceremoni të ardhshme që do të mbahet në Podgoricë. /Telegrafi/