Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në përvjetorin e 27-të të masakrës së Mejës, duke vendosur lule te varrezat e 376 civilëve të vrarë në Mejë, si dhe te pllaka përkujtimore e të rënëve në Korenicë.
Duke kujtuar ngjarjet e 27 prillit 1999, Kurti tha se masakra e Mejës dhe Korenicës është më e madhja e luftës së fundit në Kosovë dhe, sipas tij, përbën dëshmi të gjenocidit të kryer nga Serbia.
“Masakra e Mejës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha Kurti, duke theksuar se institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’i sjellë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve.
Ai përmendi edhe mundësinë e gjykimeve në mungesë, duke thënë se tashmë është rritur numri i kriminelëve serbë të dënuar në mungesë për krimet e luftës.
Kryeministri vuri theks të veçantë te çështja e të zhdukurve me dhunë, duke rikujtuar se 1,565 persona ende figurojnë të pagjetur.
Nga Meja, Kurti u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Belgrade zyrtar, duke thënë se atje ndodhet si përgjegjësia, ashtu edhe informacioni për fatin e shqiptarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Masakra e Mejës, e kryer më 27 prill 1999, konsiderohet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.