Udhëheqësit evropianë kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se u qëllua me armë zjarri në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur solidaritet me presidentin amerikan Donald Trump, Zonjën e Parë dhe popullin amerikan.
Osmani e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të rrezikshëm dhe ka vlerësuar reagimin e shpejtë të Shërbimit Sekret amerikan.
“Duke dërguar lutje dhe solidaritet për presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë dhe popullin amerikan pas sulmit frikacak të mbrëmshëm në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë”, ka deklaruar Osmani.
Gjithashtu, ajo theksoi besimin në institucionet amerikane dhe partneritetin me SHBA-në.
“Ne besojmë në qëndrueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të saj, dhe mbetemi partnerë të palëkundur në promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në mbarë botën”, shtoi ish-presidentja e Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se ky sulm godet lirinë dhe mënyrën demokratike të jetesës kudo.
Ndër të tjera, ai dënoi sulmin teksa theksoi se ndihet i lehtësuar se të gjithë të pranishmit që ishin në darkë janë mirë.
“Shqetësuese të marr lajmin për sulmin e dhunshëm të një personi të armatosur në një hotel në Uashington, DC, gjatë një eventi presidencial me gazetarë. Një sulm si ky godet lirinë dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës kudo. E dënoj me forcë. Ndihem i lehtësuar që Presidenti Trump dhe të gjithë të pranishmit janë shëndoshë e mirë”, ka shkruar Rama.
Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti incidentin “të papranueshëm”, duke thënë se “dhuna nuk ka vend në një demokraci” dhe duke ofruar “mbështetjen e tij të plotë për Donald Trump”.
Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, i quajti ngjarjet “thellësisht shqetësuese” dhe tha se “dhuna politike nuk ka vend në jetën publike dhe duhet të refuzohet me vendosmëri”.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se është “i tronditur” nga ngjarjet, duke shtuar se “çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të ashpra të mundshme”.
Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian , deklaroi se “dhuna nuk ka vend në politikë, kurrë”, duke falënderuar “veprimin e shpejtë të policisë për sigurimin e mysafirëve”.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se “një ngjarje që synon të nderojë një shtyp të lirë nuk duhet të bëhet kurrë një skenë frike”, duke i uruar “shërim të shpejtë” oficerit të plagosur të Shërbimit Sekret.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se është “i lehtësuar” që Trump dhe të pranishmit e tjerë janë shëndoshë e mirë, duke u shprehur mendimet e tij “të gjithë atyre që u tronditën nga ngjarja, përfshirë gazetarët suedezë që morën pjesë në darkë”.
Kryeministri hungarez në largim , Viktor Orban, tha se ishte “i shqetësuar nga lajmet” dhe i ofroi “mendimet dhe lutjet” e tij presidentit të SHBA-së dhe zonjës së parë.
Udhëheqës nga vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë, Spanjën, Portugalinë, Greqinë, Irlandën, Holandën, Ukrainën, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, gjithashtu dënuan ngjarjet e mbrëmshme dhe shprehën lehtësimin e tyre që Trump dhe pjesëmarrësit e tjerë në darkë mbetën të padëmtuar. /Telegrafi/