Për vitin e tetë me radhë, komuniteti shqiptar në Cyrih ka mbështetur organizatën Action for Mothers and Children për të zgjeruar qasjen në shërbime jetëshpëtuese shëndetësore për gratë dhe fëmijët në mbarë Kosovën.
“Prej tre vitesh jam shumë krenare që kam mundësinë të ndihmoj vendin tim, Kosovën. Çdo fundvit, babai im na ka pyetur sa kemi fituar nga kompanitë që ne, si fëmijët e tij, i udhëheqim dhe sa mund të ndajmë për shtetin tonë. Nxitja e babait tim ka qenë arsyeja primare pse unë kam filluar ta mbështes Action for Mothers and Children.” tha Liridona Makica, Mike e Fondacionit të AMC-së.
Të ftuarit u mblodhën më 17 prill në Restaurant Lago, në brigjet e liqenit të Cyrihut, për një mbrëmje me muzikë dhe histori fuqizuese që na kujtuan se si qasja në njohuri dhe mbështetje shëndetësore mund të transformojë jetët e familjeve.
Në këtë ngjarje patëm kënaqësi të kishim pjesëmarrës dhe përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve në Zvicër, si Konsullin e Kosulatës së Kosovës në Zvicër, z. Vigan Berisha. Për ndikimin e programeve të AMC-së foli dhe Besa Vardari, nënë e dy fëmijëve të lindur para kohe, e cila për dy fëmijët e saj ka përfituar nga donacioni i AMC-së me medikamentin e Surfaktantit, si dhe me këshilla për gjidhënie të suksesshme.
“Pas lindjes së fëmijës sim të dytë, qëndruam një muaj në kujdes intensiv në Neonatologji. Ishte një periudhë e vështirë. Dhe një nga sfidat më të mëdha për mua ishte gjidhënia. Pa thithjen direkte të bebit, rrezikoja ta humbja qumështin e gjirit. Në atë moment, kërkova ndihmë. Përmes AMC-së mora informacionin e duhur, mësova për kontaktin lëkurë-me-lëkurë, për përdorimin e pompës dhe kjo më ndihmoi të vazhdoj gjidhënien. Dhe sot ndihem krenare që edhe unë kam mundur të ndaj këtë përvojë me nëna të tjera.” tha Vardari.
Mjetet e grumbulluara nga kjo ngjarje do të mbështesin Klasat për Nëna të AMC-së, të cilat ofrojnë edukim dhe këshillim falas për gratë shtatzëna dhe prindërit e rinj në 17 komuna. Duke mbuluar tema si shtatzënia, lindja, shëndeti mendor, gjidhënia dhe kujdesi për foshnjat, ky program i jep familjeve njohuritë e nevojshme për t’u dhënë fëmijëve të tyre një fillim të shëndetshëm. Gjatë vitit 2025, 5167 pjesëmarrës përfituan nga ky program, ndërsa vetëm në vitin 2026 pjesë e këtyre sesioneve ishin 1,547 prindër.
Mbështetja e diasporës së Kosovës në Zvicër këtë vit janë fryt i punës së suksesshme dhe ndikimit real të punës së AMC-së. Donacionet nga “Save a Life” 2025 dhe nismave e tjera për mbledhjen e fondeve i mundësuan AMC-së të sigurojë pompa të insulinës dhe pajisje përcjellëse për dy vite për 10 fëmijë që jetojnë me Diabet Tip 1, një gjendje kronike që kërkon kujdes të vazhdueshëm.
Këto pajisje stabilizojnë nivelet e glukozës në gjak, reduktojnë numrin e injeksioneve dhe u lejojnë fëmijëve të bëjnë një jetë më aktive dhe të pavarur, duke lehtësuar njëkohësisht barrën mbi familjet e tyre.
Emi Uka, djali i së cilës, Siari, pranoi një pompë insuline përmes AMC-së, u shpreh në një video-mesazh:” Para se të merrnim pompën – të cilën Siari e ka tani falë AMC-së dhe donatorëve – ishte shumë e vështirë për ne të dilnim jashtë shtëpisë sikurse familjet e tjera pa fëmije me diabet. Sot, Siari mund të dalë vetë… Uroj që çdo fëmijë me diabet të ketë një pompë, sepse pompa nuk është luks, është një mjet jetik.”
Së bashku me mbështetësit e saj në diasporë, AMC po e shndërron solidaritetin në përmirësime të qëndrueshme të shëndetit dhe mirëqenies për familjet në të gjithë Kosovën.
Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të komunitetit tonë të donatorëve. Falenderojmë përzemërsisht mbështetësit tanë në Zvicër: Spitex Dona, Multinet, The Metropolitan AG, Agron Abrashi dhe Kujtim Nikoliqi për bujarinë e tyre, si dhe për Restaurant Lago, La Perle Events, Albinfo.ch, Airtiketa dhe Skysim që qëndruan pranë nesh në misionin tonë për të mbështetur nënat dhe fëmijët.