Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për median spanjolle El Periódico gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, ka kërkuar që ky shtet ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se një hap i tillë është i domosdoshëm dhe ende i mundshëm.
Kurti ka deklaruar se Spanja nuk duhet ta barazojë rastin e Kosovës me çështjet e saj të brendshme territoriale, duke theksuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të krahasohen. Sipas tij, Spanja do të duhej ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë, por ende ka mundësi ta bëjë këtë.
Ai ka theksuar se Kosova nuk ka asnjë konflikt me Spanjën dhe se njohja do të ndihmonte në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën përbëjnë një pengesë në Bruksel.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, Kurti ka thënë se Kosova ka bërë përparime të mëdha në demokraci, sundim të ligjit dhe ekonomi, duke u bazuar edhe në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare.
Ai ka përmendur gjithashtu se mbi 90% e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se vendi po vazhdon të zbatojë reformat e nevojshme në këtë drejtim.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të arrihet pa drejtësi dhe pa pranimin e së kaluarës, duke përmendur se ende ekzistojnë tensione dhe incidente që ndikojnë në raportet mes dy vendeve.
“Nuk është e mundur normalizimi pa pranimin e krimeve të së kaluarës. Presidenti i Serbisë ka lidhje të mira me Orbán dhe Putinin. Nuk mund të ketë pajtim pa drejtësi dhe besim. Ne jemi në dialog në Bruksel, por Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e arritur”, ka thënë Kurti për “El Periodico”.
Duke folur për luftën në Ukrainë, ai ka thënë se Kosova e sheh atë si një luftë për mbrojtjen e demokracisë dhe ka theksuar mbështetjen e plotë për Ukrainën.