Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës kanë ndarë 40 bursa të reja për studime Master për shërbyesit civilë të ardhshëm të vendit, në kuadër të programit Young Cell Scheme.
Sipas njoftimit, përzgjedhja e përfituesve të Raundit XVI të këtij programi është finalizuar me sukses, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e rinj nga Kosova për të studiuar në universitete të Bashkimit Evropian.
Për këtë rast, sot në orën 17:00, në Ndërtesën e Qeverisë në Prishtinë, do të mbahet një event i veçantë mirëseardhjeje në Salla P38, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Qeveria e Kosovës, partnerët zbatues dhe përfituesit e bursave.
“Për të shënuar këtë arritje, do të mbahet një event i mirëseardhjes, ku do të prezantohen parimet kryesore të programit dhe përfituesit e rinj të bursave”, thuhet në njoftim.
Programi Young Cell Scheme mbështet arsimin pasuniversitar dhe synon forcimin e kapaciteteve të administratës publike në Kosovë, duke financuar plotësisht studimet Master në vende të ndryshme të BE-së në fusha si integrimi evropian, drejtësia, ekonomia, digjitalizimi, inxhinieria dhe politika publike.
Sipas njoftimit, përfituesit e bursave, pas përfundimit të studimeve, do të obligohen të punojnë për tre vite në shërbimin civil të Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin institucional të vendit.
“Duke u angazhuar në shërbimin civil, programi siguron që njohuritë e fituara të përdoren në mënyrë efektive në Kosovë”, theksohet më tej. /Telegrafi/