Udhëheqësit e opozitës në Mbretërinë e Bashkuar i kanë bërë thirrje kryeministrit Keir Starmer të japë dorëheqjen pasi qeveria konfirmoi se një bashkëpunëtor i Jeffrey Epstein dështoi në një kontroll sigurie të së kaluarës përpara se të bëhej i dërguar në Uashington.
Starmer është përballur me pyetje në lidhje me gjykimin e tij në emërimin e Peter Mandelson, i cili u shkarkua vitin e kaluar vetëm disa muaj pasi kishte marrë këtë detyrë, për shkak të lidhjeve të tij me të ndjerin e dënuar për krime seksuale në SHBA, Epstein.
Opozita rifilloi thirrjet për dorëheqjen e Starmer pasi një hetim nga gazeta The Guardian zbuloi se Mandelson nuk kishte kaluar një kontroll fillestar të të dhënave – gjë që u konfirmua më vonë nga qeveria, shkruan euronews.
Ndryshe, kryeministri e ka akuzuar Mandelsonin se ka gënjyer në lidhje me shkallën e lidhjeve të tij me Epsteinin gjatë procesit të verifikimit për postimin e tij në Uashington.
Një zëdhënës i qeverisë tha se zyrtarët e ministrisë së jashtme morën vendimin për të lejuar që emërimi i Mandelson të vazhdojë “kundër rekomandimit të Verifikimit të Sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Por zëdhënësi njoftoi se as Starmer dhe as ministri i jashtëm “nuk ishin në dijeni” të kësaj “deri në fillim të kësaj jave”.
Raportohet se kryeministri britanik e shkarkoi Mandelsonin nga detyra e ambasadorit pasi dokumentet e publikuara nga një komitet i Kongresit Amerikan zbuluan detaje të reja rreth lidhjeve të tij me Epstein. /Telegrafi/