Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ku u prit në takim nga ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi.
Gjatë bisedimeve, të dy palët riafirmuan bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit, duke theksuar rëndësinë e thellimit të tij përmes projekteve të përbashkëta dhe mobilitetit në arsim, me synim ngritjen e një sistemi cilësor dhe konkurrues në rajon e më gjerë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri Çeku mori pjesë edhe në edicionin e katërt të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, ku morën pjesë rreth 7 mijë nxënës nga 800 shkolla.
Në finalen e konkursit u përballën dy shkollat “Besëlidhja” e Lezhës dhe “Edith Durham” e Tiranës, ndërsa gara u vlerësua si dëshmi e përgatitjes së lartë të nxënësve dhe e përkushtimit të tyre ndaj gjuhës shqipe.
Ministri Çeku shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe diskutimet e frytshme me ministren Kumbaro, duke theksuar gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të këtij partneriteti.
Ndërkohë, është bërë e ditur se më 23 maj, Prishtina do të jetë nikoqire e Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe, ndërsa ngjarje dhe aktivitete të ngjashme pritet të shtohen edhe në të ardhmen.