Një mundësi e re për të rinjtë shqipfolës që kërkojnë eksperienca ndërkombëtare dhe ekspozim mediatik është hapur së fundmi, përmes një formati të ri “dating reality show” që pritet të realizohet në Turqi.
Projekti po zhvillohet nga producentja e projekteve filmike ndërkombëtare, Jozefina Luçi Maliqaj, në bashkëpunim me një produksion turk, dhe synon të sjellë një format dinamik dashurie me pjesëmarrës nga komuniteti shqipfolës.
Audicionet janë të hapura për vajza të moshës 19 deri në 30 vjeç dhe djem nga 22 deri në 35 vjeç, të cilët duhet të jenë single, të ndihen rehat para kamerës dhe të jenë të gatshëm për një eksperiencë rreth 6-javore në Stamboll.
Ndryshe nga formatet tradicionale që fokusohen tek figura publike, ky projekt kërkon kryesisht persona autentikë me personalitet të spikatur – përfshirë influencerë, këngëtarë të rinj, sportistë, artistë, por edhe individë “realë” që kanë çfarë të ofrojnë në ekran.
Xhirimet do të zhvillohen në një vilë në Stamboll, në një format “reality 24/7”, ku dinamika e marrëdhënieve, njohjeve dhe emocioneve do të jetë në fokus të vazhdueshëm. Programi pritet të transmetohet në platformën YouTube, ndërsa prezantuesit do të jenë gjithashtu nga hapësira shqiptare.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të përfitojnë një pagesë prej 500 dollarë në javë, ndërsa akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi do të mbulohen plotësisht nga produksioni. Për më tepër, çifti fitues i formatit do të shpërblehet me çmimin e madh prej 30,000 euro.
Sipas planifikimit, përzgjedhja finale e kastit do të bëhet më 21 maj 2026, ndërsa xhirimet pritet të nisin në javën e parë të muajit qershor.
Të interesuarit për të qenë pjesë e këtij formati mund të aplikojnë duke kontaktuar në numrin +355 69 688 0930, duke kaluar fillimisht në fazën e intervistës dhe audicionit fillestar.
Ky projekt synon jo vetëm të sjellë argëtim për publikun, por edhe të krijojë një platformë të re për promovimin e të rinjve shqipfolës në një skenë ndërkombëtare.