Komisioni Parlamentar për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, pas aprovimit të tyre paraprak nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë e Kosovës, këto dy projektligje përbëjnë një pjesë kyçe të legjislacionit që rrjedh nga Pako e Energjisë së Pastër, me synim krijimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe me çmime të përballueshme për qytetarët.
Në njoftim thuhet se përmes këtyre ligjeve bëhet transpozimi i pjesshëm i legjislacionit evropian, duke krijuar bazën për harmonizim të mëtejmë me rregullat e Bashkimi Evropian, përfshirë Direktivën 2019/944 dhe Rregulloren 2019/943.
Po ashtu, miratimi i tyre konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përfitimit të mbi 9 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së për Kosovën.
Ministria vlerëson se këto ligje do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrencës në tregun e energjisë, mbrojtjen e konsumatorëve dhe reformimin e përgjithshëm të sektorit energjetik në vend.
Një nga elementet kryesore të projektligjeve është përfshirja e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, si dhe vendosja e procedurave konkurruese për përzgjedhjen e furnizuesit të shërbimit universal.
Gjithashtu, përmes tyre krijohet baza ligjore për zhvillimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë, përfshirë investimet në bateri, stabilizimin e rrjetit dhe integrimin në tregun rajonal dhe evropian të energjisë elektrike.
Ministria e Ekonomisë ka falënderuar të gjithë kontribuuesit në hartimin e këtyre projektligjeve, përfshirë partnerët ndërkombëtarë dhe akterët vendorë, duke shprehur pritjen që ato të miratohen sa më shpejt edhe në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/