Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me operacionin kundër narkotikëve të zhvilluar më 13 prill në Ferizaj, ku janë arrestuar katër persona të dyshuar për trafikim të drogës.
Sipas njoftimit, operacioni është realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës – Task Forcën “White Star”, ndërsa fillimisht janë arrestuar dy persona, për t’u zgjeruar më pas aksioni edhe me arrestimin e dy të tjerëve.
Të dyshuarit me inicialet A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B. ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe shpëlarje parash.
Prokuroria ka bërë të ditur se sasia e substancës narkotike të sekuestruar, pas vlerësimit, arrin në rreth 17 kilogramë e 900 gramë heroinë.
Detaje të reja nga aksioni në Ferizaj ku u sekuestrua heroinë, shkon në katër numri i të arrestuarve

Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme në Ferizaj, ku përveç drogës janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale që pritet të përdoren në procedurën penale.
Me vendim të prokurorit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda këtij afati pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas autoriteteve, hetimet kanë mundësuar identifikimin e personave dhe lokacioneve ku ka operuar grupi kriminal, si dhe lokalizimin e vendit ku mbahej droga e përgatitur për transport.
Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe dy persona të tjerë janë në kërkim policor dhe Policia e Kosovës po vazhdon angazhimet për arrestimin e tyre.