Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim qytetarin Faton Tahiri, i cili ditë më parë ka shpëtuar jetën e një gruaje që kishte rënë me automjet në Liqenin e Livoçit.
Në shenjë vlerësimi për veprimin e tij, Hyseni i ka ndarë atij mirënjohje komunale për, siç u tha, trimërinë dhe reagimin e shpejtë në një situatë të rrezikshme.
“Sot prita në takim bashkëqytetarin tonë, Faton Tahirin, i cili me një akt heroik e të jashtëzakonshëm shpëtoi pak ditë më parë jetën e një gruaje që kishte rënë me veturë në liqenin e Livoçit”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se veprimi i Tahirit përbën një shembull të solidaritetit qytetar dhe humanizmit në situata emergjente.
“Fatoni është shembulli i qytetarit që na bën krenarë të gjithëve. Veprime të tilla humane janë dëshmia më e mirë e solidaritetit që na bashkon në momente të vështira. Mirënjohje dhe respekt i pafund”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit. /Telegrafi/