Gjatë javës nga 30 marsi deri më 5 prill 2025, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 42 aksidente të komunikacionit rrugor.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, nga këto aksidente, 13 kanë qenë me persona të lënduar, ku 21 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa 29 aksidente të tjera kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.
Në të njëjtën periudhë, policia ka shqiptuar 1.301 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, si dhe ka pezulluar 20 patentë shoferë ndaj drejtuesve që kanë kryer shkelje të rënda, për të cilat parashihet masa mbrojtëse e heqjes së lejes së drejtimit.
Rajoni i Ferizajt përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Njëkohësisht, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me organet e rendit duke raportuar çdo kundërvajtje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo përmes numrave kujdestarë.
Autoritetet kanë theksuar se të gjitha të dhënat e qytetarëve do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/