Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se një nga lojtarët kryesorë të skuadrës është gati të nisë ndeshjen kundër Southamptonit në çerekfinalen e FA Cup, duke theksuar besimin e tij të plotë te lojtari pavarësisht gabimit të fundit.
Arteta deklaroi se portieri i tij, Kepa Arrizabalaga, është gati të kthehet në formacionin titullar për ndeshjen e ardhshme, dy javë pas gabimit që çoi në golin e parë të pësuar kundër Manchester Cityt në finalen e Carabao Cup, që Arsenal e humbi 2-0.
Portieri 31-vjeçar nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Ligën Premier këtë sezon, duke qenë i aktivizuar vetëm në Carabao Cup dhe FA Cup, si dhe në një ndeshje pa impakt të Ligës së Kampionëve kundër Kairat Almaty.
“Ai është gati për të luajtur. Nuk do të gjykoja kurrë një lojtar apo të merrja një vendim kundër tij vetëm për shkak se bëri një gabim”.
“Qëndrimi dhe sjellja, po, 100 për qind, por gabimet janë pjesë e futbollit dhe çdo lojtar mund t’i bëjë”.
“Nuk e di nëse ka nevojë për mbështetje, por ai tashmë e ka marrë, fillimisht nga shokët e skuadrës, pastaj nga unë dhe stafi teknik, dhe shpresoj edhe nga tifozët”.
“Nuk mendoj se ka nevojë për këtë, sepse ka përvojë të madhe dhe ka kaluar situata të ndryshme gjatë karrierës së tij, prandaj është më se gati për të luajtur”, ka deklaruar spanjolli./Telegrafi/