Policia e Kosovës, përkatësisht Policia Rajonale e Ferizajt, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet në funksion të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën nga 23 deri më 29 mars 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.262 gjoba kundërvajtëse ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë shkelur rregullat e trafikut.
Po ashtu, gjatë kësaj jave janë pezulluar 20 patentë shoferë për drejtues që kanë kryer shkelje të rënda në komunikacion.
Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 36 aksidente trafiku, prej të cilave 15 kanë qenë me persona të lënduar, ku gjithsej 15 persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa 21 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara parandaluese, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Autoritetet u kanë bërë apel shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, ndërsa kanë ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar kundërvajtjet përmes stacioneve policore, aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” apo përmes numrit kujdestar 192. /Telegrafi/