Policia e Kosovës më 26.03.2026, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme ka realizuar një plan taktik me ç’rast në vijën kufitare me Serbinë, respektivisht në rajonin e fshatit Hajkobillë, Prishtinë, janë arrestuar katër të dyshuar për ‘kontrabandë me mallra’ , ‘kalim i paautorizuar i vijës kufitare’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armëve të zjarrit dhe municionit’.
Ekipet patrulluese nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit nga DRPK – Lindja, pas një vëzhgimi disa orësh, rreth orën 18:00 kanë vërejtur lëvizjen e tre traktorëve nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Të njëjtit janë ndaluar nga ana e zyrtarëve policorë, gjersa në afërsi të vijës kufitare është hasur një sasi e konsiderueshme e druve (trupakave) të kontrabanduara nga territori i Serbisë.
Me autorizim të prokurorit të Shtetit, lidhur me rastin, është kryer bastisja e një shtëpie në afërsi të vijës kufitare, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga kontrabandistët, ku janë gjetur armë ilegale”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë sekuestruar provat materiale si në vijim 3 traktorë me tërheqje; 3 pushkë gjuetie; 1 pushkë ajrore dhe 83 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Me autorizim të prokurorit kompetent katër personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë ndërsa rasti për procedura të mëtejme do të trajtohet nga njësitë kompetente të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës. /Telegrafi/






