Gjatë vitit 2024, rreth 1.2 milionë persona fituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian ku jetonin, duke shënuar një rritje prej 11.6% (+122,700 persona) krahasuar me vitin 2023.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, numri i shtetësive të dhëna është rritur ndjeshëm edhe në krahasim me vitin 2014, me një rritje prej 54.5%, kur në atë kohë u dhanë gjithsej 762,100 shtetësi.
Pjesa më e madhe e këtyre shtetësive u dha nga tre vende kryesore:
Gjermania: 288,700 shtetësi (24.5% e totalit të BE-së)
Spanja: 252,500 (21.4%)
Italia: 217,400 (18.5%)
Sa i përket përkatësisë, shumica dërrmuese e përfituesve (88.0%) ishin shtetas nga vende jashtë BE-së, ndërsa 10.6% ishin qytetarë të vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Sirianët, marokenët dhe shqiptarët kryesojnë listën e përfituesve
Edhe në vitin 2024, sirianët mbetën grupi më i madh i përfituesve të shtetësisë në BE, me 110,100 shtetësi të reja të dhëna.
Ata u pasuan nga shtetasit marokenë me 97,100 shtetësi, ndërsa në vendin e tretë renditen shqiptarët me 48,000 shtetësi të përfituara.
Suedia me normën më të lartë të natyralizimit
Norma e natyralizimit, që tregon numrin e personave që marrin shtetësi gjatë një viti në raport me totalin e banorëve jo-shtetas në fillim të vitit, rezulton më e larta në Suedi.
Në vitin 2024:
Suedia kryeson me 7.5 shtetësi për çdo 100 banorë jo-shtetas
Italia renditet e dyta me 4.1
Spanja dhe Holanda ndajnë vendin e tretë me nga 3.9 secila
Në anën tjetër të renditjes, normat më të ulëta të natyralizimit u regjistruan në:
Lituani: 0.1
Bullgari dhe Estoni: nga 0.3 secila
Këto të dhëna janë pjesë e raportit më të fundit të Eurostat mbi përfitimin e shtetësisë në vendet e Bashkimit Evropian, i cili ofron një pasqyrë më të detajuar mbi trendet e migracionit dhe integrimit në rajon. /euronews.al/