Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se e kanë shikuar nga afër Bujar Pllanën, por i ka uruar suksese për kalimin te Shqipëria.
Pllana mori ftesë nga Sylvinho për play-offin e Kupës së Botës, kësisoj u bë lojtari më i fundit që largohet drejt “Kuq e Zinjve” pasi luajti në të gjitha grumoshat e Kosovës.
Lidhur me qendërmbrojtësin foli edhe Foda, i cili tregoi se kanë udhëtuar drejt Polonisë për t’ia shikuar disa ndeshje, por meqenëse është vendimi i tij nuk mund të ndërhyjnë.
“Bujar Pllana? E kemi përcjellur edhe live në ndeshjet e tij dhe sigurisht kemi vendosur për një grup të lojtarësh këtu. Këtu secili ka kontribuar që të arrijmë këtu ku jemi dhe secili është i rëndësishëm për pozicionin e tyre”.
“Për lojtarin në fjalë, pra Bujar Pllanën, nëse ai ka vendosur për Shqipërinë atëherë është vendim i tij, gjithnjë e kam thënë se kur luajnë për Kosovën të luajnë me zemër këtu”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Kosova po përgatitet për përballjen ndaj Sllovakisë në kuadër të play-offit të Kupës së Botës./Telegrafi/