Trashëgimia kulturore dhe vlerat natyrore po e bëjnë Gjirokastrën gjithmonë e më shumë atraktive për turistët Italian. Vetëm përgjatë vitit të shkuar rajoni jugor u vizitua nga mbi 150 mijë turistë italianë të cilët nuk ka munguar as këtë fillim pranvere.
“Duke u nisur nga eksperienca e vitit të kaluar dhe duke parë edhe statistikat e këtij fillmviti nga kontaktet që kemi patur me drejtuesit e muzeumeve të Gjirokastrës rezulton që përsëri numri i turistëve italianë është në vend të parë për të vizituar muzeumet, qendrën historike të Gjirokastrës”, tha Teodor Bilushi, Konsull Nderi i Italisë në Gjirokastër.
Aerodromi i Gjirokastrës është një ndër pikat që tërheq më së shumti turistët Italian një pjesë e të cilëve preferojnë të fluturojnë me avionë sportivë.
“Doja të veçoja këtë vit është edhe një faktor tjetër i kërkesave që kanë shumë pilotë italianë për avioturizmin, të cilët kanë shprehur dëshirën për të ardhur në Gjirokastër por janë në pritje të kushteve që duhet të ketë aerodromi i Gjirokastrës për uljen dhe për gjithë shërbimet që duhet të kryhen pranë këtij aerodromi”, shtoi Bilushi.
Një pjesë e shtetasve Italian nuk kanë zgjedhur të jetë thjeshtë vizitorë të Gjirokastrës, ato thuajse janë bërë banorë të saj, dhe kanë investuar në biznese.
“Janë disa italianë që kanë blerë pasuri të paluajtshme në Gjirokastër, disa prej tyre kanë programe për ti kthyer në bujtina, dikush e ka edhe banesë për të jetuar, bile ka kërkesa edhe prej disa italianësh nga sferat e larta të shoqërisë, pra janë personazhe që do t’ja shtojnë vlerat Gjirokastrës në të ardhmen”, tha Teodor Bilushi.
Kultura italianë dhe aktivitetet që organizohen zënë një vend të veçantë në kalendarin e organizimeve.
“Interesi i institucioneve italiane, akademike por dhe atyre konsullore diplomatike në bashkëpunim gjithmonë me faktorin lokal ka qenë në rritje edhe ky vit është një vit që do të ketë të tjera aktivitete në funksion të promovimit të vlerave të Gjirokastrës dhe rajonit “, përfundoi ai.
Gjirokastra turistike është një markë e njohur në turizmin ndërkombëtar. Çdo vit qyteti i gurtë mikpret turistë nga vende të ndryshme të botës./Euronews Albania