Prokuroria Themelore në Pejë është duke zhvilluar hetime të gjëra për dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ku deri më tani janë përfshirë dhjetëra persona, ndërsa pritet që numri i tyre të rritet ndjeshëm.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Telegrafin se deri tani janë pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave, ndërsa në total pritet që të jenë 31 kallëzime ndaj rreth 200 personave, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve në komunën e Pejës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, për komunën e Pejës deri më tani ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave. Ndërkaq për këtë komunë priten të pranohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj rreth 200 personave”, tha Nikçi.
Ai bëri të ditur se hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe përfshijnë procesin e numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”, theksoi ai.
Sipas tij, deri më tani janë intervistuar 49 persona si të dyshuar, ndërsa pritet që ky numër të rritet në mbi 200 vetëm në komunën e Pejës.
“Priten të intervistohen mbi 200 persona dhe të pranohen mbi 31 kallëzime penale. Pasi të përfundojë i gjithë procesi, do të njoftohet opinioni publik”, deklaroi Nikçi.
Autoritetet kanë bërë të ditur se një pjesë e veprimeve hetimore mbetet konfidenciale në këtë fazë, ndërsa procesi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/