Gjatë ditës së premte u zhvillua seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti.
Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.
Para ndërtesës së gjykatës janë parë edhe persona të afërt të këngëtarit.
Në Pallatin e Drejtësisë ka mbërritur babai i Gjestit, Jetoni, i cili nuk është lejuar të hyjë në sallën ku po mbahet seanca dëgjimore. Gjithashtu, aty është parë edhe menaxheri i tij i ri, Bonart Ajvazi.
Gjesti u arrestua më 11 mars, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur se ai dyshohet për kryerjen e disa veprave penale.
Sipas Prokurorisë, Besart Kelmendi dyshohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja”, si dhe për veprën penale “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”. /Telegrafi/
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi