Halil Geci, është intervistuar sot nga Policia e Kosovës me autorizim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet për kërcënime ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nora Luta.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju konfirmojmë se është intervistuar nga Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Speciale. Ndërsa, procedura penale në këtë rast vazhdon”, ka thënë Luta.
Edhe avokati i Halil Gecit, Gazmend Halilaj ka bërë të ditur se klienti i tij është liruar pas disa orëve intervistim në Prokurorinë Speciale, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda.
“Rast i pa precedent. Presidentja e çon në polici qytetarin për një status në Facebook. Miq të dashur, pas disa orë në Krime të rënda, u lirue Baci Lilë. Në asnjë vend Demokratik, nuk ndodh qe Presidenti i shteti, të merrët me statuse të qytetarit të cilet me Konvent Europiane dhe Kushtetutë të Republikës, …e drejta e shprehjes së mendimit të lirë garantohet… Baci Lilë, njihet botërisht si njeri qe pertej dekadash, promovonë paqë dhe tolerancë kudo”, ka shkruar Halilaj.
Ndryshe, një ditë më parë pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht. /Telegrafi/