Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se kërkesa e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës është duke u proceduar.
Përmes një përgjigje për Telegrafin nga zyra për media e Gjykatës Kushtetuese kanë thënë se vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese.
“Kjo kërkesë është duke u proceduar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe, kjo kërkesë është dërguar të premten nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, një ditë pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesë së kuorumit.
Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.
E pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. /Telegrafi/