Pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht.
“Kam theksuar se, sipas vlerësimit tim dhe duke u mbështetur edhe në opinionet e disa njohësve të së drejtës kushtetuese, veprimet e Presidentes mund të konsiderohen si shkelje e Kushtetutës. Kjo çështje nuk është ngritur vetëm nga unë, por është përmendur edhe nga juristë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.
Geci ka përmendur edhe deklarimet publike të juristëve si Enver Hasani dhe Mazllum Baraliu, duke thënë se edhe ata kanë diskutuar në media për mundësinë e shkeljeve kushtetuese nga institucionet.
Ai ka shtuar se reagimi i Presidencës ndaj tij është i tepruar dhe se debati publik për respektimin e Kushtetutës duhet të jetë i lejuar në një shoqëri demokratike.
“Kritika ndaj institucioneve nuk duhet të interpretohet si sulm personal, por si pjesë e lirisë së shprehjes dhe e kulturës demokratike”, ka shkruar Geci.
Sipas tij, referenca e bërë ndaj shembujve nga Turqia në shkrimin e tij kishte karakter krahasues dhe informues dhe nuk ishte thirrje për veprime të dhunshme.
“Unë nuk kam kërcënuar askënd dhe as nuk kam nxitur dhunë. Kam shprehur vetëm një mendim kritik dhe qytetar mbi respektimin e Kushtetutës dhe përgjegjësinë e institucioneve publike”, thuhet në reagim.
Ndryshe, më herët Presidenca e Kosovës kishte reaguar duke dënuar gjuhën e përdorur nga Geci ndaj presidentes Vjosa Osmani, pasi ai kishte përdorur termin “pushkatim” në një koment të tij publik, duke e cilësuar një gjuhë të papranueshme dhe që nxit dhunë në diskursin publik.
Pas këtij reagimi, Halil Geci e ka edituar më vonë postimin e tij në rrjetet sociale duke hequr fjalinë “Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”. /Telegrafi/