Deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastiri i Deçanit.
Haradinaj tha se nëse deklarata e Rashiqit rezulton e vërtetë dhe nuk demantohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëherë kjo përbën një veprim shumë të rëndë.
Në një reagim të publikuar në Facebook, ai e cilësoi këtë çështje si tepër serioze dhe tha se përgjegjësia për sqarim bie mbi kryeministrin.
“Deklarata e Rashiqit për tokën që iu transferua Manastirit të Deçanit. Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”, shkroi Haradinaj në postimin e tij.
Lidhur me këtë çështje më herët kanë reaguar edhe figura të tjera opozitare. Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarata e Rashiqit e “zhvesh plotësisht” Kurtin nga retorika që ai e ka përdorur për këtë temë ndër vite.
“Deklarata e ministrit Rashiq e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese. Për vite u fol për ‘tradhti’ dhe ‘falje të tokës për manastirin’. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’. Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë kryeministër u bë lehtësisht për hatër. Kaq ‘serioze’ është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, u shpreh Hoti.
Ndërkohë, reagim ka bërë edhe deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se deklarata e ministrit Rashiq hedh dritë mbi mënyrën se si është marrë vendimi për tokën e Manastirit të Deçanit.
“Për vite dëgjuam akuza për ‘tradhti’ për tokën e Manastirit të Deçanit. Sot ministri Nenad Rashiq tregon se si u mor vendimi: Albin Kurti i kishte thënë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd’. Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë. Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike”, deklaroi Deliu-Kodra.
Çfarë tha Rashiq
Reagimet vijnë pasi ministri Rashiq kishte deklaruar se kryeministri Kurti kishte marrë vendimin për transferimin e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit pas këmbënguljes së tij.
Në një intervistë për median lokale serbe Radio Gorazhdevci, Rashiq kishte thënë se kishte vite që argumentonte pse zbatimi i këtij vendimi ishte i rëndësishëm dhe se në fund Kurti kishte pranuar ta ndërmerrte atë hap.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, kishte deklaruar Rashiq./Telef