Real Madrid ka përjetuar një rënie të pabesueshme të formës që nga triumfi i tyre i 15-të në Ligën e Kampionëve më 1 qershor 2024 në “Wembley Stadium” kundër Borussia Dortmund (2-0).
Në 642 ditët që pasuan, klubi madrilen ka garuar për nëntë trofe të mëdhenj, por ka arritur të fitojë vetëm dy: Superkupën e UEFA-s dhe Kupën Internacionale të FIFA-s.
Rënia nisi gradualisht pas pensionimit të Toni Kroos dhe ardhjes së Kylian Mbappe, por humbjet e rënda ndaj rivalit të përbetuar, Barcelonës (5-2 në Superkupën e Spanjës dhe 4-0 në finalen e Kupës së Mbretit) zbuluan probleme të mëdha brenda skuadrës.
Sezoni i kaluar nisi me vështirësi në Ligën e Kampionëve. Madrilenët arritën të kalonin Manchester City në fazën play-off, por u eliminuan më pas nga Arsenal në fazën e 1/16-ës së finales.
Trajneri Carlo Ancelotti u largua në maj të vitit 2025, ndërsa pas tij nga klubi u nda edhe legjenda Luka Modric. Në stol erdhi Xabi Alonso.
Alonso e nisi mirë aventurën në La Liga, por humbi mbështetjen pas një zëvendësimi të diskutueshëm të Vinicius Junior dhe rezultateve të dobëta, përfshirë humbjen 5-2 ndaj Atletico Madrid.
Ai u shkarkua më 12 janar 2026 pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës nga Barcelona.
Në vend të tij u promovua nga Castilla Alvaro Arbeloa, por as ai nuk ka arritur ta ndalë krizën. Real Madridi u eliminua herët nga Albacete Balompie në Kupën e Mbretit, ka hasur vështirësi në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas dhe ka pësuar humbje poshtëruese ndaj Getafe dhe Osasuna.
Në vetëm 18 muaj, klubi ka ndërruar tre trajnerë, ka humbur liderë të rëndësishëm, është përballur me shumë lëndime dhe ka parë disa finale t’i rrëshqasin nga duart – shpesh përballë rivalit të madh, Barcelonës./Telegrafi/